Falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe autoriteteve amerikane, është zbuluar skema e mashtrimit të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u kërkohej shuma prej €10,000 Eurosh në këmbim të një vize amerikane.
Nga tërësia e veprimeve hetimore prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi, rezulton se një shtetas shqiptar me iniciale R.N., përdorte një profil Instagrami me emërtimin “viza_amerikane_insider”, ku postonte rregullisht për “viza Amerikane me garanci 100%. “Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet”.
Shtetasi R.N., mashtronte qytetarët duke u ‘garantuar’ marrjen e vizës Amerikane turistike 10-vjeçare përmes ndërhyrjes së tij në Ambasadën Amerikane kundrejt shumës 10.000 euro. Gjithashtu, hetimet kanë provuar se shtetasi R.N., falsifikonte të dhënat e formulareve elektronikë në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme, me qëllim që aplikanti për vizë të kishte një profil kualifikues. Këtë gjë ai e bënte në bashkëpunim me aplikantin e vizës, sikundër janë aplikimet me shtetasit K.P., K.K., K. L., Xh.S., dhe E. Gj.,të cilët kanë rezultuar se në bashkupunim me shtetasin R.N., kanë falsifikuar formularët elektronikë për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.
Shtetasi R.N paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se viza miratohej, shtetasi R.N merrte shumën prej 10.000 Eurosh mga aplikanti.
Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar sot në mëngjes nga Policia e Shtetit, Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë Speciale të njohur si “Joint Shield”, në bashkepunim të ngushtë me partnerët e Departamentit të Shtetit, Agjencinë Federale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, Njësinë e Hetimeve Kriminale, me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Tiranë dhe me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë përmbyllur fazën e parë të operacionit “THE ROGUE SON”, lidhur me hetimet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në vijim të këtyre hetimeve, më datë 08.02.2024, janë arrestuar dhe vënë në ekzekutim 5 vendime gjykate për masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për gjashtë shtetas, R. N., K. P., K. K., K. L. dhe Xh. S., si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore. Në disa raste i dyshuari kryesor R. N. ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane.
Vazhdojnë hetimet për persona të tjerë fizikë dhe juridikë, apo subjekte të tjera të perfshira në këto skema mashtrimi me viza amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore.
Policia e Shtetit shqiptar ka falenderuar partnerët e Agjencisë Ligjzbatuese Shërbimi Diplomatik i Sigurisë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të ngushtë në këtë rast.
Ekipi i MoraVizen përfiton nga rasti të shprehë mirënjohjen ndaj autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane për ndalimin e këtij grupi kriminal që mashtronin qytetarët shqiptarë dhe të cilët cënonin integritetin e procesit të aplikimit për vizë.
Kujtojmë gjithashtu klientët tanë se Konsullata Amerikane është i vetmi autoritet që vendos për miratimin apo refuzimin e kërkesës tuaj për paisje me vizë amerikane. Kushdo që pretendon se mund të influencojë këtë vendimmarrje, është duke ju mashtruar, dhe ju ftojmë t’i denonconi pranë Policisë së Shtetit.
Copyright @2024 MoraVizen.com | Të gjitha të drejtat e rezervuara