MoraVizen.Com

“Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, Paralajmëron për ‘Uragan’ të Emigracionit

Manchester, UK | 04 Tetor 2023 (MoraVizen.com) – Gjatë një fjalim kontroversial në konferencën vjetore të Partisë Konservatore në Manchester, Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, lëshoi një paralajmërim të ashpër për një “uragan” të ardhshëm të emigracionit masiv që po shkakton debat në Mbretërinë e Bashkuar.

Braverman, e njohur për qëndrimet e ashpra në të kaluarën, si dhe për aspiratat të mundshme politike për lidershipin e Partisë Konservatore në të ardhmen, kritikoi emigrimin e paligjshëm, politikat e identitetit dhe ato që i cilësoi si “bindjet luksoze” të progresistëve të majtë.

Braverman, vetë fëmijë e dy prindërve të cilët emigruan drejt Britanisë nga Kenia dhe Mauritiusi në vitet 1960, përdori një analogji krahasimore duke e cilësuar valën e emigrimit aktual si “Uragan” në krahasim me erën e ndryshimit që solli prindërit e saj në Britani.

“Epoka e ndryshimeve që solli prindërit e mi në shekullin e 20-të ishin një erë e thjeshtë krahasuar me uraganin që po vjen,” tha Braverman për të pranishmit konservatorë në konferencë.

Komentet kontroversiale të Sekretares së Brendshme vijnë disa ditë pas një deklarate tjetër të guximshme bërë kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një vizite të fundit në Washington, Braverman bëri thirrje për një qasje ndërkombëtare të re për kërkesat e azilit duke iu referuar ndryshimeve të nevojshme në konventat ndërkombëtare.

Ajo më parë ka mbështetur idenë e dërgimit të këruesve të azilit në Ruandë dhe një propozim të dështuar për të strehuar 500 kërues azili në një ‘hotel’ lundrues i cili rezultoi i infektuar me bakterie në sistemin e shpërndarjes së ujit.

Në fjalën e saj, Braverman gjithashtu kritikoi Partinë Laburiste dhe kritikët e tjerë të politikave të saj të emigracionit, duke akuzuar se ata promovojnë “bindjet e luksit” nga pozitat e tyre të privilegjuara. Fjalimi i saj ka marrë një pritje të ngrohtë nga aktivistët e partisë konservatore që ishin të pranishëm në konferencë, megjithatë, jo të gjithë militantët janë dakord me pikëpamjet e saj. Një aktivist është larguar nga salla e konferencës për të shprehur mosmarrëveshjen e tij në lidhje me komentet e saj për “ideologjinë gjinore” dhe disa të tjerë kanë shprehur rezerva për gjuhën e ashpër të përdorur nga Braverman.

Retorika e ashpër kundër emigracionit të paligjshëm nga Partia Konservatore në pushtet është rritur në javët e fundit, pasi pritet që Mbretëria e Bashkuar të mbajë zgjedhjet parlamentare të përgjithshme në vitin 2024.

Sondazhet më të fundit elektorale pikturojnë një pamje të errët për shumicën e konservatorëve të kryeministrit Rishi Sunak. Sipas “Polls of Polls të POLITICO“, Konservatorët janë aktualisht pas Partisë Laburiste me 16 pikë.

Në vitin e kaluar, shqiptarët janë bërë qendër e retorikës negative politike në Mbretërinë e Bashkuar, pasi qeveria britanike është duke punuar me autoritetet shqiptare për kthimin e atyre që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Shifrat zyrtare parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se në vitin 2022, më shumë se një çerek e 45,755 njerëzve që kaluan Kanalin La Manshe në varka të vogla erdhën nga Shqipëria – dhe shumica kërkuan azil në Britani.

Statistikat britanike tregojnë se numri i shqiptarëve që kanë ardhur në Mbretërinë e Bashkuar përmes kësaj rruge është rritur nga 800 në vitin 2021 në 12,301 në vitin 2022.

Gjatë verës, Parlamenti Britanik miratoi Ligjin për Migracionin e Paligjshëm duke e kategorizuar Shqipërinë si ‘Vend i Sigurt’. Kjo do të thotë që shtetasit shqiptarë që kalojnë kufirin për në Britaninë e Madhe paligjshmërisht duke kërkuar azil politik, mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës menjeherë, pavarësisht rrethanave të tyre apo pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut.

Copyright @2023 MoraVizen.com | Të gjitha të drejtat e rezervuara